Një person është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës, ndaj të cilit është qëlluar mbi 15 herë me breshëri kallashnikovi. Delon Troqe, 38 vjeç, nga Vlora, ishte pronar i një servisi makinash dhe ngjarja ka ndodhur pikërisht para derës së biznesit të tij, ku i riu është qëlluar për vdekje nga 2 persona. Më herët para se të hapte servisin e tij, 38-vjeçari punonte me turiste me gomone duke i dërguar në Karaburun ose ishullin e Sazanit.
38-vjeçari kishte dy javë që ishte kthyer nga Spanja dhe mesohet se pasur disa sherre më para, por nuk dihet ende nëse ngjarja e rëndë ka ndodhur për shkak të ndonjë konflikti të mëparshëm.
Ndërkohë që një makinë është gjetur e djegur në zonën e Sherishtës në Vlorë, që dyshohet se është përdorur nga 2 autorët, të cilët pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes kanë djegur makinën për të fshehur gjurmët e vrasjes. Brenda makinës së djegur janë gjetur armë zjarri, që dyshohet se janë përdorur në ekzekutimin e të riut.
Të shtënat janë dëgjuar nga kalimtarët e rastit dhe më pas është lajmëruar policia. Gjithashtu janë dëgjuar edhe të bërtitura nga personat prezent në vendin e ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve. Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.
Ky është ekzekutimi i dytë që ndodh në qytetin e Vlorës brenda 11 ditëve, ku më 10 maj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinë e tij 40-vjeçari, Bledar Birçaj, i cili gjithashtu nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Spanja.

















