Elbasan/ Burri ish-polic vret gruan pas daljes nga gjykata, ishin në proces divorci! Plagosen dhe 2 kalimtarë!

6 Maj 2021, 16:32

Një martesë që po tentohej të mbyllej me divorc, ka përfunduar në tragjedi për Liljana Buzon, 54-vjeçaren nënë të 3 fëmijëve.

Bashkëshorti i saj, ish-efektiv i policisë, 58-vjeçari Koço Buzo, i përballur më herët me drejtësinë për dhunë në familje, e qëlloi me breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në mesditë në afërsi të gjykatës së Elbasanit, pas seancës gjyqësore për procesin e divorcit mes tyre. 58-vjeçari nuk ishte paraqitur në seancë dhe po priste me një kallashnikov në dorë jashtë Gjykatës së Elbasanit. 

Sapo ata kanë dalë burri ish polic ka qëlluar duke lënë të plagosur rëndë bashkëshorten e cila ndërroi jetë rrugës për në spital, por 7 plumbat e zbrazur kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, të dy jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është me profesion avokat, teksa dita e tij e punës në gjykatë nuk shkoi si zakonisht por ende nuk dihej nëse ishte avokat i çështjes. Ai u plagos rastësisht me një plumb në dorë dhe po merr mjekim në spitalin e Elbasanit.

Ndërhyrja në kohë e forcave të policisë bëri të mundur arrestmin e autorit. Në vendin e ngjarjes shihet arma e zjarrit kallashnikov tashmë e sekuestruar nga policia bashkë një thikë që 58-vjeçari Koço Buzo kishte me vete. 

Ndërsa gjurmët e mbetura të gjakut që po pastrohen nuk mund të fshijnë dot tragjedinë në familjane Buzo, dhe hapin të tjera plagë me tre fëmijë mbetur pa nënë dhe me babain në burg.