Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Maj 2026 – Receta/ Shërimi i dhimbjeve përmes akupunkturës/ Gjimnazistët nderohen me çmim

1 Maj, 16:20 | Përditesimi: 1 Maj, 16:20

Rreze Dielli nisi ndryshe, me një performacë kërcimi nga grupi i balerinave të vogla të “Kako Dance Academy”. Më pas Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Reshedi, ëmbëlsirë tradicionale / Çorbë me bathë / Reçel menteje.

Mjeku akupunkturist nga Kosova Rabit Sadiku, ka shpjeguar sot në “Rreze Dielli” një nga praktikat më të lashta të mjekësisë, akupunkturën. Në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë alternativa natyrale për shëndetin, ai ka zgjedhur të ndërtojë një urë mes traditës mijëravjeçare dhe nevojave moderne të trupit tonë. Përmes gjilpërave të holla, ai shpjegoi sesi funksionon kjo metodë, sesi synon të rikthejë balancën, të lehtësojë dhimbjen dhe të zgjojë forcat vetëshëruese të organizmit apo edhe për kë është e përshtatshme.

Nxënësit shqiptarë u shpallën fitues në një konkurs ndërkombëtar të kompanive të nxënësve në Vjenë, ku morën pjesë 56 ekipe nga Europa dhe më gjerë. Pas prezantimit të projektit dhe vlerësimit nga juria ndërkombëtare, ata fituan çmimin e madh, duke u renditur në vendin e parë. Ky sukses është një arritje e rëndësishme për të rinjtë shqiptarë, duke dëshmuar potencialin, kreativitetin dhe aftësitë e tyre në sipërmarrje dhe inovacion. Në studion e “Rreze Dielli” dy gjimnazistet Sindi Sulaj dhe Gloria Proko bashkë me mësuesen e tyre Orilda Kalami, rrëfyen emocionet e përjetimit të marrjes së këtij çmimi.

MC/Shqiptarja.com