Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 15 Janar 2026 – Receta /Turjan Hysko PA filtra, televizioni dhe familja

15 Janar, 15:18 | Përditesimi: 15 Janar, 15:18

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pite me mish të grirë dhe djathë / Papare të aromatizuar / Ëmbëlsirë me biskota, krem vanilje dhe çokollatë të bardhë.

Bota e televizionit shpesh shfaqet si një arenë e pamëshirshme, ku gara për të qenë i pari shkon përtej etikës dhe njerëzores. Një prapaskenë brutale, por reale, ku individi zhvishet nga vetvetja, shpërbëhet dhe rindërtohet sipas rregullave të spektaklit. Pikërisht në këtë realitet vjen filmi “Kazerma”, një sukses kinematografik me mesazhe të forta, që ngre zërin fuqishëm për të thënë “jo” dhunës. Flasim sot me Turjan Hysko, për këtë film që na përball me pyetje të mëdha: përtej ekranit, a po jetojmë në një shoqëri që ngjan gjithnjë e më shumë me një kazermë brutale, ku bukuria dhe ndjeshmëria humbasin? Si lindi ideja dhe guximi për ta sjellë këtë histori në ekran? Në "Rreze Dielli" Turjan Hysko flet jo vetëm për karrierën, por edhe për njeriun pas ekranit. Një rrugëtim që nis herët, vetëm 18 vjeç, në botën e televizionit, me projekte që lanë gjurmë si “Mos u nxeh”, “Përralla e fëmijëve”, “Oktapodi”, "2 XL", e shumë të tjera. Nëse do ta rikthente veten pas në kohë, si e kujton sot Turin 18-vjeçar? Si erdhi televizioni në jetën e tij dhe si ka ndryshuar marrëdhënia me të ndër vite?

Turjan Hysko hap zemrën dhe flet jo vetëm për karrierën e tij profesionale, por edhe për njeriun pas ekranit. Një histori e bukur dashurie dhe partneriteti me bashkëshorten e tij, Orinda Huta, dhe “qershia mbi tortë”, vajza e tyre Atara. Çfarë do të thotë për Turjanin të ndash jetën me një bashkëshorte që ndan të njëjtin pasion për ekranin? Cilat janë sekretet që e kanë bërë marrëdhënien e tyre të funksionojë ndër vite? Dhe përtej profesionit, ndalemi te lidhja e veçantë mes tij dhe Atarës — sa e ka ndryshuar ardhja e saj në jetë dhe si duket një ditë e zakonshme me babin Turin.

MC/Shqiptarja.com