Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gjellë me mish viçi - Gulash hungarez / Makarona të skuqura / Biskota me portokall dhe arra.
Me kameran tonë kemi udhëtuar drejt një prej fshatrave të Tiranës, për të ndjekur nga afër historinë e veçantë të një bletari që është rritur mes zhurmës së krahëve të bletëve. Aurel Isai, i cili e ka trashëguar këtë profesion nga babai, rrëfen pasionin e tij të pandarë për bletarinë dhe udhëtimin e përvitshëm që bën bashkë me to. Ai i dimëron bletët në Tiranë, ndërsa verës i rikthen në vendlindjen e tij në Kolonjë. Në këtë reportazh, Aurel Isai na zbulon sekretet e mbarështimit të bletëve dhe tregon pse cilësia e mjaltit varet nga sakrifica, kujdesi dhe dashuria për natyrën.
Dy vajza të veçanta, motrat binjake Anja dhe Eda Jaupaj, na sjellin historinë e tyre të suksesshme nga Suedia. Ato rrëfejnë jetën studentore, sfidat dhe përjetimet që i kanë forcuar edhe më shumë si binjake. Lidhja mes tyre është aq e fortë sa shpesh vendimet i marrin si një ekip, duke u mbështetur te njëra-tjetra në çdo hap. Edhe në momentet më të vështira, ato thonë se forca e tyre më e madhe është fakti që nuk ecin kurrë vetëm. Por historia e tyre nuk ndalet këtu: me kursimet e veta, Anja dhe Eda krijuan një brand veshjesh që i çoi drejt një arritjeje të jashtëzakonshme, fituan çmimin si biznesi më i mirë i të rinjve. Ato na tregojnë se si lindi kjo ide, si sfiduan veten në një vend të huaj dhe si qëndruan të bashkuara gjatë gjithë udhëtimit të tyre të suksesit.





















