Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 22 Maj 2026 – Receta / ‘Nisma për fëmijët në nevojë’ / Rikthimi i Gent Bejkos

22 Maj, 14:50 | Përditesimi: 22 Maj, 14:50

Emisioni Rreze Dielli sot hapet ndryshe, me poezi. Geraldo Dervishllari, nxënës i klasës së 8-të në shkollën "Muhamet Esat Minarolli" në Pogradec, reciton poezinë ‘Rapsodi për Flamurin’ nga poeti Ali Asllani. Më pas zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në kendin e gatimit: Brokoli me patate sufle / Bishtaja me oriz / Tavë me kërpudha dhe perime; si dhe një Çaj me lëkurë panxhari, limoni dhe xhinxhër.

Në Shqipëri, shumë familje përballen me një nga sfidat më të mëdha të jetës kur fëmijët e tyre kanë nevojë për trajtime të specializuara jashtë vendit, trajtime që shpesh kushtojnë shtrenjtë dhe i detyrojnë prindërit të trokasin në dyert e donatorëve apo të kërkojnë ndihmë publike. Pikërisht për t’i dhënë fund kësaj pasigurie, në Korçë ka nisur një nismë ligjore qytetare që synon mbulimin nga shteti të trajtimeve për fëmijët që nuk mund të kurohen në Shqipëri. Nisma kërkon 20 mijë firma për të shkuar në Parlament dhe synon krijimin e një fondi të posaçëm, procedura më të shpejta dhe më shumë barazi për familjet në nevojë. Sot kemi në studion e “Rreze Dielli” përfaqësues të kësaj nisme, Kolindo Vjerdha nga “Qendresa qytetare” dhe aktivistin Ardit Konomi për të folur jo vetëm për aspektin ligjor, por edhe për dimensionin njerëzor të kësaj beteje.

Aktori dhe regjisori Gent Bejko rikthehet nga Kanadaja për të ndarë me publikun eksperiencën e jetës dhe artit mes dy vendeve. Një rrëfim mbi sfidat, emocionet dhe transformimet që sjell një karrierë artistike e ndërtuar larg Shqipërisë, por gjithmonë e lidhur ngushtë me skenën dhe publikun shqiptar. Përveç jetës mes Kanadasë dhe Shqipërisë, Gent Bejko vjen edhe me një projekt të ri teatror në skenën e teatrit “Migjeni”, komedinë e zezë “Gomerët e Trojeve”, një vepër që premton të sjellë humor, ironi dhe reflektim përmes një qasjeje të veçantë artistike. Për të na treguar më shumë mbi rikthimin, teatrin dhe projektet e tij artistike, flasim sot në “Rreze Dielli”, në një lidhje direkte nga Shkodra me Gent Bejkon.

MC/Shqiptarja.com