Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 28 Tetor 2025 – Receta/‘U dogj gjithçka’/ Tetori rozë, këshilla vetëkontrolli / Dhuro flokë

28 Tetor, 15:09 | Përditesimi: 28 Tetor, 15:09

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Trahanik i Përmetit dhe Kek me vanilje e kakao.

Një tragjedi ka tronditur pak ditë më parë komunitetin e Leskovikut. Një zjarr i fuqishëm ka shkatërruar totalisht shtëpinë e 'Farma Sotira', duke lënë pas humbje të mëdha materiale dhe emocionale. Pronarja, Jonida Hëna në lidhje direkte për "Rreze Dielli" rrëfen si ndodhi tragjedia, momentet e tmerrshme kur flakët përfshinë gjithçka dhe bën apel për ndihmë.

Tetori i njohur si 'Muaji Rozë', na fton të reflektojmë mbi rëndësinë e kujdesit për shëndetin e gjirit. Por cilat janë problematikat që hasin vajzat dhe gratë në përballje me kancerin e gjirit? Si mund të ndihmojë vetëkontrolli i gjirit, kur dhe si duhet ta kryejmë atë? A është çdo dhimbje në gjoks një shenjë alarmi? A kanë reçipetat e ngushta ndonjë rol në rritjen e riskut për kancer gjiri? Dhe a janë gjinjtë e mëdhenj apo të vegjël më problematikë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje? Këto janë disa nga pyetjet që çdo grua duhet t’i bëjë vetes gjatë Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit, informimit dhe kujdesit për veten. Mjekja onkologe Manjola Luzi dhe Miranda Horieti, Drejtore në kujdesin shëndetësor parësor në Drejtorinë Rajonale Tiranë, të ftuara në studion e "Rreze Dielli" rrëfejnë histori dhe problematikat që hasin vajzat e gratë në përballje me kancerin e gjirit si dhe japin këshilla për parandalim dhe diagnostifikim në kohë.

Në Pejë, një gjest plot dashuri e humanitet ka prekur zemrat e të gjithëve. Gjimnazistë të rinj vendosën të presin flokët për t’ia dhuruar grave dhe vajzave që po përballen me kancerin e gjirit, duke treguar se ndjeshmëria dhe solidariteti nuk kanë moshë. Ndër ta, veçohet historia e një 14-vjeçareje e prekur vetë nga kanceri, e cila në një letër plot emocione e forcë u dërgon mesazh grave që luftojnë me sëmundjen: “Mos u dorëzoni". Ky moment i ndjerë, në kuadër të Tetorit Rozë, na kujton se një akt i vogël dashurie mund të japë forcë, shpresë dhe buzëqeshje aty ku dhimbja duket më e madhe. Për studion e "Rreze Dielli" në lidhje teams nga Peja: mësuese Drilona Morina Mazrekaj, psikologia Fitore Hyseni dhe dy gjimnazistet Leutrina Kastrati e Alea Cukaj.

MC/Shqiptarja.com