Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petulla me raki dhe mjaltë / Patëllxhanë me perime në tigan / Çorbë me mëlçi, miell misri dhe kos.
Në prag të Ditës së Mësuesit, 7 Marsit, dy mësuese nga breza të ndryshëm ndajnë rrëfimet e tyre për profesionin që u ka dhënë kuptim jetës: sfidat, emocionet dhe ndryshimet që ka pësuar shkolla ndër vite. Lefteri Gjosha dhe Marjeta Proko sjellin në "Rreze Dielli" përmes përvojave të tyre një pasqyrë të arsimit dje dhe sot. Kanë kaluar 16 vite që kur Lefteri Gjosha ka dalë në pension, por për të fjala “mësuese” mbetet një identitet i përjetshëm. Kujtimet me nxënësit dhe vitet e gjata në arsim janë ende pjesë e përditshmërisë së saj, duke treguar se mësuesia nuk është thjesht profesion, por një mision që vazhdon edhe përtej klasës. Ndërkohë, Marjeta Proko vijon të jetë çdo ditë përballë realitetit të shkollës së sotme. Ajo tregon se përtej mësimdhënies, mësuesit përballen edhe me plagët sociale që mbartin nxënësit. “Shkoj në shtëpi me lot në sy”, rrëfen ajo, duke theksuar se në shkollë ka shumë fëmijë që përballen me probleme familjare, të cilat shpesh i bëjnë edhe mësuesit dëshmitarë të vështirësive të tyre. Në këtë bisedë, dy mësueset rrëfejnë historitë më prekëse me nxënësit, sfidat e profesionit dhe ndryshimet që ka pësuar arsimi ndër vite, duke sjellë një reflektim të veçantë në prag të festës së 7 Marsit.
Në prag të 7 Marsit, muzika bëhet dhurata më e bukur për ata që çdo ditë u mësojnë nxënësve jo vetëm dije, por edhe pasion. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për të sjellë një koncert festiv dedikuar mësuesve të tyre. Nga bankat e shkollës drejt një prej skenave më prestigjioze të vendit, talentet e reja do të interpretojnë për publikun dhe mësuesit që i kanë udhëhequr në rrugën e dijes dhe artit. Një detaj domethënës i këtij koncerti është se rreth 10% e orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të përbëhet nga nxënës të talentuar të kësaj shkolle, duke treguar se brezi i ri i muzikantëve po rritet dhe po gjen vendin e tij në skenë. Për këtë koncert dhe emocionet që sjell për nxënësit dhe mësuesit flasin në "Rreze Dielli" drejtori artistik dhe mësuesi i solfezhit Enea Sadushi, si edhe nxënësit Rea Bello, Noel Ali dhe Kroni Pula, të cilët ndajnë emocionet e ngjitjes në një skenë kaq të rëndësishme dhe mesazhin që duan t’u përcjellin mësuesve të tyre në këtë festë të veçantë.





















