Këtë sezon, kuzhina e “Rreze Dielli” sjell një emër të njohur për të gjithë dashamirësit e gatimit. Mirela Andoni, prej vitesh një zë i spikatur në botën e kulinarisë, i bashkohet shtëpisë sonë me receta të shijshme, ide praktike dhe shumë dashuri për gatimin. Prej më shumë se një dekade, përmes blogut të saj “Papare”, Mirela ka ndarë me publikun mbi 4 mijë receta, duke treguar se me përbërësit që kemi çdo ditë në shtëpi mund të krijojmë pjata të shijshme, të thjeshta dhe të përballueshme. Por pasioni i saj për kuzhinën ka nisur shumë më herët, që në fëmijëri, kur në moshën 10-vjeçare frymëzohej nga duart e gjyshes dhe më pas nga ato të nënës së saj. Pas një eksperience 5-vjeçare në ekranet shqiptare, Mirela Andoni rikthehet në televizion, këtë herë në kuzhinën e “Rreze Dielli” në Report Tv, për të sjellë receta të stinës, shije tradicionale, sekrete të trashëguara nga gjyshet tona dhe, sigurisht, shumë surpriza.“Vij me shumë dëshirë dhe dashuri për publikun e Rreze Dielli. Pasioni im për kuzhinën dhe ekranin më shoqëron prej vitesh tashmë. Në këtë sezon do të kemi receta të larmishme, me produktet e stinës, për buxhetin e çdo shtëpie, sekrete nga recetat e gjysheve tona dhe shumë surpriza të tjera”, shprehet Mirela Andoni.
Zonja Mirela solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tortë me fruta pylli / Kulaç me kos si dhe nje Çaj me bouganville.
Një verë ndryshe për Ana Kallakun, larg ekranit, por pranë njerëzve dhe gjërave që kanë më shumë rëndësi për të. Moderatorja vjen në një rrëfim të sinqertë në “Rreze Dielli” për jetën e saj, duke ndarë me publikun momente nga pushimet, raportin me familjen dhe planet që po marrin formë jashtë televizionit. Pas një periudhe të gjatë në ekran, Ana ka zgjedhur të eksplorojë një tjetër anë të vetes, duke iu përkushtuar projekteve të reja profesionale dhe biznesit që zhvillon së bashku me vëllain e saj, Bes Kallakun. Një eksperiencë që i ka sjellë sfida të reja, por edhe një tjetër dimension në marrëdhënien mes tyre. Çfarë e shtyu Anën të largohej nga televizioni? A është ky një largim i përkohshëm apo një kapitull i ri në karrierën e saj? Si po e përjeton jetën larg ekranit dhe çfarë projektesh të reja po përgatit? Në këtë intervistë, Ana Kallaku flet për verën, familjen, punën, marrëdhënien me të vëllanë dhe zgjedhjet e reja që po bëjnë pjesë në jetën e saj.




















