'Është sëmurë, s'rri dot në burg'/ Arta Marku jep 'ok' për lirimin e ish-kryebashkiakut të Vorës

8 Korrik 2020, 17:54

TIRANËVetëm një ditë pasi u arrestua në spital, Gjykata e Apelit ka liruar ish- kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Trupa Gjykuese e përbërë nga  gjyqtarët Elona Tora, Albana Lluri dhe Zengjine Sallaku kanë ndryshuar masën e sigurisë nga "Arrest në burg" në "Detyrim paraqitje". Ka qenë vetë organi i akuzës, i përfaqësuar nga Arta Marku që ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë me argumentin se Kajmaku nuk mund të qëndronte në burg për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

"Sot Gjykata vlerësoi si të drejte kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurimit personal për zotin Agim Kajmaku nga "arrest ne burg" në "detyrim për paraqitje". Nga sot, z. Kajmaku gjykohet i lire. P.s. Kjo kërkesë gjeti mbështetje të pjesshme edhe nga akuza", shprehet avokati i Kajmakut, Isuf Shehu.

Kajmaku u arrestua një ditë më parë pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spitalin privat "Continental" për shkak të diabetit. Siç Report Tv raportoi një ditë më parë, kanë qenë mjekët ata që ka njoftuar policinë, se Kajmaku ndodhej i shtruar aty.  Ai ishte shpallur në kërkim që prej 9 nëntorit 2019 dhe akuzohej për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri. Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.

    No videos found.