Europa Perëndimore nën 'pushtetin' e ujit, numri i viktimave shkon mbi 150, Presidenti gjerman: Shkalla e shkatërrimit, tronditëse

17 Korrik 2021, 19:44

Vijon të rëndohet bilanci i viktimave nga përmbytjet në Europën Perëndimore, ku numri i viktimave ka shkuar mbi 150, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Deri më tani vetëm Gjermania ka raportuar 133 viktima, ndërsa në Belgjikë janë shënuar rreth 20 viktima. Po ashtu reshje të dendura shiu kanë përfshirë edhe Zvicrën, Luksemburgun e Holandën, ku kryeministri Mark Rutte ka shpallur gjendjen e katastrofës kombëtare në një provincë jugore.

Sipas BBC, Presidenti Gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha se ishte "tronditur" nga shkalla e shkatërrimit të shkaktuara nga përmbytjet. "Vende të tëra janë dëmtuar nga katastrofa. Shumë njerëz kanë humbur atë që kishin ndërtuar gjithë jetën e tyre", ka thënë ai pas një vizite në një nga rajonet e prekur.