Tirana, Prishtina dhe Shkupi janë qytetet, e eksploruara nga dizajnerë nga 25 shtete të botës në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2024”. Punimet u ekspozuan mbrëmjen e së hënës në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. I kuruar nga nga Keith Kitz, Masachusetts të SHBA, festivali me temë harmoni ka në fokus jetën dhe ngjarjet e përditshme në këto 3 vende.
“Jemi të lumtur që po hapim Festivalin Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2024” në Tiranë. Kjo ekspozitë sjell shumë dizajnerë dhe artistë nga më shumë se 25 vende të botës, të cilët me punimet e tyre kanë sjellë mesazhin mbi temën ‘Harmonia’ dhe mbi temën e dytë: Eksploro Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin.”, - thotë Rrezeart Galica, organizator i Festivalit.
“Janë 25 krijues nga 25 shtete dhe kjo është gjëja më e bukur që vjen sot në Tiranë pas Prishtinës dhe bën atë që jo çdokush mund ta bëjë, por arti i thyen dhe bën një gjendje dhe performancë, që gjithkush nga pjesa e politikës do ta kishte zili.”, - vlerëson Erald Bakalli, Rektor i UART në Tiranë.