Finalja e Conference League, Rama: Kemi bërë një nga stadiumet më të bukur të Europës, ishte kalbësirë urbane! Njësoj do të bëhet edhe Teatri i ri Kombëtar

25 Maj 2022, 08:50 | Përditesimi i fundit: 2022-05-25 09:42:32

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me pamje nga stadiumi ‘Air Albania’ ku do të luhet finalja europiane Roma-Feyenoord. Rama tregon se e ka mbajtur premtimin duke bërë një nga stadiumet më të bukur të Europës ndërsa më parë ishte thjesht ‘kalbësirë urbane’ në zemër të kryeqytetit.

Rama thekson se njësoj si stadiumi i finales së sotme, që do të jetë një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, do të bëhet edhe Teatri i Ri Kombëtar. Ndërsa asnjë koment nuk pati për përplasjen e tifozëve me policinë gjatë mbrëmjes së shkuar, ku mbetën të plagosur 10 efektivë dhe 4 tifozë.

“Mirmëngjes dhe me shpresën se ka akoma nga ju që e kujtojnë kur ju thosha se do të bëjmë një nga stadiumet më të bukur të Europës, aty ku deri para pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane në zemër të kryeqytetit, duke ju siguruar se siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane një krenari kombëtare në Europë, do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë ditë të shënuar sportive për të tërë Europën këtu në Tiranë”, shkruan Rama.

    No videos found.