Fiskalizimi/ Bizneset e vogla në Shkodër: Të shtyhet me 5 vite për kategorinë tonë, po falimentojmë, mos bëni eksperimente me ne

14 Shtator 2021, 10:11

250 biznese të vogla të Zdrales në Shkodër kërkojnë nga Ministria e Financave shtyrjen me 5 vite të procesit të fiskalizimit për biznesin e vogël dhe mos penalizmin e këtij biznesi. Për tregtarët e Zdrales procesi i fiskalizimit sjell kosto të mëdha shtesë që nuk janë në gjendje t'i përballojnë dhe mund t'i çojnë drejt falimentimit.  Ato shprehen se ky proces i iniciuar nga Ministria e Financave rëndon në xhepat e biznesit. Kreu i Sindikatës së biznesit të vogël në Shkodër, Albert Tukaj shprehet se i ka kërkuar Ministrisë së Financave shtyrjen e këtij procesi për këtë kategori, ndërsa thekson se me ta po bëhet ping-pong ku Bashkia Shkodër dhe Ministria e Financave ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërkohë që tregtarët enden rrugëve pa marrë zgjidhje. Tukaj tha se biznesi i vogël në vendin tonë është biznes social dhe familjar dhe është e pafalshme që të bëhen eksperimente me këtë biznes, ku shumica mezi paguan edhe sigurimet shoqërore dhe taksat që aktualisht kanë.