Flet agjenti i Eriksen: Do të dijë çfarë i ndodhi, është gati të rikthehet në stërvitje

14 Qershor 2021, 12:32

Agjenti dhe miku i Christian Eriksen flet për gjendjen e futbollistit  pas dramës që pësoi të shtunën në ndeshjen Danimarkë-Finlandë. Martin Schoots jep një sinjal që makthi është hedhur pas krahëve dhe se Eriksen u kthye në jetë pasi për pak sekonda preku botën e përtejme. Agjenti i tij thotë se Eriksen do të kuptojë qartësisht atë që i ka ndodhur në momentin ku u rrëzua në fushë pa ndjenja. Mjekët kanë garantuar se numri dhjetë nuk ka pasur kurrë probleme dhe misteri është i madh. Analizat e bëra deri tani kanë dhënë rezultate pozitive por mjekët duan t’i shkojnë rastit deri në fund.

Agjenti zbulon: “Christian ishte i lumtur pasi kuptoi se është i rrethuar nga njerëz që e duan. I kanë ardhur mesazhe nga e gjithë bota dhe i bënë përshtypje ato nga Interi dhe tifozët zikaltër. Eriksen i falënderon të gjithë dhe u bën me dije se nuk dorëzohet. Mjekët i shpëtuan jetën dhe ai është gati të rikthehet ta shijojë si më parë pra më ka thënë se është i gatshëm të rikthehet të stërvitet” e mbyll agjenti i mesfushorit. Një episod kurioz zbulohet nga komunikimi që Eriksen ka pasur me shokët e skuadrës ku u ka thënë atyre se :” Më duket sikur ju jeni më keq se unë pasi unë jam gati për t’u rikthyer në stërvitje. Ndërkaq edhe kardiologët japin shpresë duke sqaruar se nuk është e thënë që karriera e danezit u mbyll këtu./Përgatiti Andi Kapxhiu