5 janari është afati i fundit, që Komisioni i Rithemelimit, i dalë nga Kuvendi i thirrur prej Sali Berishës më 11 dhjetor, i ka lënë Lulzim Bashës, që të lirojë zyrën, ndryshe anëtarët e PD-së do veprojnë si një forcë pëmrbarimore, e do nxjerrin kryetarin nga selia. Floriana Garo, zëdhënësja e Sali Berishës, e ftuar në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv tha se anëtarët e Komisionit të Rithemelimit janë për një revolucion paqësor, ndërsa shton se nuk e di sesi do të procedojnë ngjarjet atë ditë. Për Garon, Lulzim Bashës i është dhënë afat boll deri me 5 janar që të lirojë zyrën në selinë e PD-së, pasi sipas saj ka pasur mjaft kohë që të reflektojë vullnetin e anëtarëve.
‘Kjo është ajo që i shkon në mendje njerëzve ky nuk është aspak rasti, ne e kemi theksuar se ky është një revolucion paqësor, ne i kemi lënë boll hapësirë Bashës deri me datë 5 janar, pasi ka pasur mjaft kohë të reflektojë siç ka dashur vullneti i anëtarëve. Pas datës 5 janar anëtarësia do të veproj si përmbarues politik pa dhunë. Vullneti i demokratëve është shprehur nëpërmjet kuvendit të 11 dhjetorit. Më 5 janar Basha duhet të lërë zyrën. Nuk mund të spekuloj nëse do të ketë shpërthim zyrash. Ne kemi thirrur për protesta paqësore, por sesi do të procedojnë ngjarjet unë nuk mund të them. Por demokratët mezi po presin që ai të largohet. Është e drejta jonë, e drejta e çdo demokrati të jetë në selinë e PD-së. Kyçja e zyrave me çelës është një sjellje anormale’- tha Garo.




















