FOTO ekskluzive/ Kapen në Kosovë 400 kg kokainë të fshehura në kamionin me pula! U nis nga Brazili

17 Maj 2021, 18:38

Është kapur në Kosovë një kamion me 400 kg kokainë që ka kaluar nga porti i Durrësit. Report Tv bën me dije se bëhet fjalë për një operacion të kryer nën koordinimin e DEA-s amerikane, të cilët kishin informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.

Kokaina ishte fshehur në kamionin me mish pule dhe konteineri u nis nga Amerika e Jugut, ndaloi në Gioia Tauro në Itali dhe më pas ndaloi në Durrës. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij. Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës dhe sa ka kaluar kufirin policia ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës në Lipjan. ReportTv mëson se operacioni është ndjekur prej 15 ditë deri në mesditën e kësaj të hëne kur është bërë edhe dorëzimi i kontrolluar.

Kokaina ishte e vendosur në 20 arka, ku ishin hequr pulat dhe ishte vendosur droga në vend të tyre.Të përfshirë dyshohet se janë një numër i konsiderueshëm personash por deri më tani janë arrestuar 2 persona, shoferi i kamionit që transportonte drogën dhe një tjetër, ende i paidentifikuar. Vlera e kësaj sasie të kapur është afro 8 milion euro. Shoferi i kamionit ka thënë se nuk ka pasur dijeni që ka pasur drogë në to.

Krahas DEA-s, në operacion janë përfshirë pala italiane, si vendi ku konteineri bëri tranzitin për në Shqipëri, pala shqiptare si edhe policia e Kosovës pasi u zbulua se cili do të ishte destinacioni final i konteinerit të mbushur me drogë. Policia shqiptare kishte dy muaj që priste ngarkesën kolosale të kokainës dhe ndërkohë që kjo ndodhte në portin e Durrësit janë sekuestruar edhe dy ngarkesa të tjera më lëndë narkotike të tjera.