TIRANE- Vetëm një ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit për kryebashkiakun socialist të Vorës, Agim Kajmaku sepse gënjeu në formularin e dekriminalizimit, ka nisur zyrtarisht hetimet ndaj tij.
Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.
Sipas ligjit, zyrtarët të cilët gënjejnë në formularin e dekriminalizimit, rrezikojnë të dënohen deri në 4 vite heqje lirie.
Pasi Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë së Vorës, PD e denoncoi atë se ka qenë i arrestuar në Greqi me emër tjetër, Jorgo Tota.
Partia Demokratike publikoi një vendim të prokurorisë dhe gjykatës së Janinës, të datës 19 qershor 2003, ku thuhej se ai ishte arrestuar në janar 2003 në Janinë për blerje të fidanëve dhe bimëve të tjera me para të falsifikuara.
Edhe pas denoncimeve të PD-së, në disa reagime për mediat, Kajmaku i mohoi vazhdimisht akuzat, deri në momentin kur u publikua një vendimi Gjykatës së Janinës, ku pushonte çështjen nga tij, duke e shpallur atë të pafajshëm.
Në një dokument që mban datën 28 tetor drejtuar kryeprokurores Arta Marka dhe KQZ, Kajmaku sjellë dy argumente se përse nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit arrestimin e tij në Greqi për falsifikim të parave.
Së pari shkruan se nuk ka qenë në dijeni se ishte në hetim sepse i gjithë procesi hetimor është kryer në mungesë. Së dyti thotë se nuk e dinte se mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit ia ndalonte atij që të kandidonte dhe më pas të zgjidhjet si kryebashkiak. Për një gjë të tillë, Kajmaku shprehet se e ka mësuar nëpërmjet mediave.
Pas kërkesë që ka bërë Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e mandatit, do të jetë KQZ e cila do të vendosë për kryetarin e Bashkisë së Vorës.