TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i kërkon KQZ-së heqjen e mandatit për kryebashkiakun socialist të Vorës, Agim Kajmaku sepse gënjeu në formularin e dekriminalizimit duke mos deklaruar se ka qenë në hetim nga drejtësia shqiptare.

Në dokumentin që Shqiptarja.com disponon është vërtetuar nga përgjigjet e Interpol Greqi dhe Interpol Tirana se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton dhe se konfirmohet arrestimi në flagrancë dhe më pas vendimi i pafajësisë i tij. Megjithatë, ndonëse është shpallur i pafajshëm, Kajmakun e prek ligji i dekriminalizimit, pasi pyetjes nëse "ka qenë ndonjëherë i ndaluar ose i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale", Kajmaku i është përgjigjur "JO". Referuar vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota dhe të pasakta në të, passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/ zgjedhja/ emërimi apo nga funksioni publik dhe për këtë arsye Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku i kërkon KQZ-së që të nisë menjëherë procedurat për heqjen e mandatit të Kajmakut.  

Burime bëjnë me dije se ky dokument ka mbërritur në selinë blu dhe në KQZ mesditën e kësaj të hëne. Ishte sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi që publikoi fillimisht dokumentin. Në një dalje për mediat nga selia blu, numri dy i PD-së kërkon shkarkimin nga detyra të Kajkmakut, duke e konsideruar si një "fitore" pasi sipas tij, u vërtetuan akuzat që PD-ja ka bërë. 

"Agim Kajmaku u përpoq të mashtronte opinionin publik. PD solli fakte të pakundërshtueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi ishte kandidati i Ramës për Vorës. Sot denoncimi është provuar zyrtarisht nga Prokuroria, ku ka provuar denoncimin e PD. Rezulton që Interpol Tirana ka sqaruar se nga Interpol Athinë,nga krahasimi i gjurmëve të Agim Kajmakut ka përputhshmëri me Jorgo Toto. Më tej prokuroria ka sqaruar se Agim Kajmaku, kandidat i Ramës në Vorë, është i njëjti person me Jorgo Toton. Konfirmohet nga TIMS.Konfirmohet se Agim Kajamku ka patur dijeni se ka qenë në hetim në Greqi dhe se ndaj tij kishte proces gjyqësor në Greqi. Nga ana tjetër rezulton se ai ka kryer veprime për fshehjen e këtij fakti duke ndryshuar emrin e mbiemrin por as nuk ka deklaruar tek dekriminalizimi. Agim Ymer Kajmaku përfshihet. Pas vendimit të Prokurorisë, është rrëzuar. Rama nuk ka vullnet për të luftuar krimin pasi pushtetin e ka në lidhje me krimin. Të shkarkojë menjëher nga detyra, Agim Kajmakun i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar për një krim në Greqi ku duhej të dënohej deri në 10 vjet." ka thënë ndër të tjera Bardhi.

Më 26 gusht,  Partia Demokratike solli prova të dosjes së Agim Kajmakut, një vendim të prokurorisë dhe gjykatës së Janinës, të datës 19 qershor 2003. Sipas këtij vendimi të publikuar nga PD, të dokumentit në gjuhën greke, thuhet se Kajmaku është arrestuar në janar 2003 në Janinë për blerje të fidanëve dhe bimëve të tjera (për biznesin e tij në Shqipëri) me para të falsfikuara. Sipas PD-së, fillimisht Kajmaku është hetuar në masë detyrim paraqitje, por me mbledhjen e provave dhe dërgimin e dosjes për gjykim është kërkuar me vendim gjykate masë "arresti me burg", por vendimi nuk është ekzekutuar pasi Kajmaku, që në atë kohë përdorte emrin Jorgo Toto, sipas PD-së, është në kërkim nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto, dhe se i është shmangur gjykimit duke ardhur në Shqipëri dhe duke ndryshuar emrin.

Dokumenti i Prokurorisë së Përgjithshme që vërteton arrestimin e Agim Kajmakut të Greqi