Fulham prezanton Armando Brojën, Chelsea i lë 'një kleçkë' në kontratë: Ndihem i nderuar që jam këtu

2 Shkurt, 16:19

Armando Broja për katër muajt në vijim do jetë pjesë e Fulham në Premier League. Chelsea ra dakord me kolegët nga Londra që sulmuesi 22-vjeçar të jetë i huazuar deri në fundin e sezonit aktual.

Sulmuesi i Kombëtares pritet të marrë minuta në muajt në vijim, për të qenë gati për Europianin 2024 me Shqipërinë. Duket se kjo ka qenë një nga shtysat më të mëdha për të, që të ndodhte kjo lëvizje në limitet e merkatos.

Fulham ka prezantuar edhe zyrtarisht Brojën, që do mbajë në fanellë numrin 9. Chelsea ka lënë "një kleçkë" në marrëveshje, me Brojën që duhet të luajë jo më pak se dhjetë ndeshje, në të kundërt Fulham duhet të paguajë 5 milionë euro për këtë huazim.