Gatime nga zonja Albana, Antipastë festive/kurora e krishtlindjes

23 Dhjetor 2021, 10:48

Antipastë festive / kurora e krishtlindjes

Përbërësit:

1 gjoks pule

Mustardë

Keçap

Hudhër

Kripë

Piper i zi

Piper i kuq

Arra të grira

Patate

Majonezë

2-3 lgj ujë

3 vezë të ziera

1-2 karrota të ziera

150 gr djathë kaçkavall

4 kastraveca turshi

Kopër të grirë

Djathë tosti

Spec i kuq

Shegë

Përgatitja:

Marinojmë gjoksin e pulës me kripë, piper të zi, piper të kuq, hudhër të grirë, mustardë dhe keçap. E vendosim në një letër pjekje më pas e mbulojmë me letër alumini dhe e vendosim në furrë të piqet për 40 minuta. Më pas gjoksin e pjekur të pulës e presim në kubikë të vegjël.

Në një pjatancë vendosim një formë rethore në qendër. Në anësore vendosim një shtresë me copëzat e pulës, një shtresë me arra të grira, një shtresë me patate të ziera të grira në rende. I ngjeshim me një lugë.

Marrim majonezën dhe e hollojmë me 2-3 lugë ujë të vakët. E punojmë pak dhe e hedhim si shtresë sipër duke i dhënë formën e kurorës. Vezët e ziera i presim në kubikë të vegjël dhe vazhdojmë me shtresat e tjera të antipastës. Grijmë karrotat në rende dhe vendosim përsëri salcën e majonezës. Kastravecin turshi e vendosim të prerë në feta të holla si dhe djathë kaçkavall të grirë në rende. Vendosim përsëri pak salcë të holluar dhe e vendosim antipastën në frigorifer për rreth 30 minuta.

Në fund para se t’a servirim e dekorojmë me shegë, shirita speci të kuq, kopër dhe djathin e tostit të cilin e kemi prerë në forma yjesh.