Gatime nga zonja Albana, Gjevrekë dhe Perime me shije në furrë shpejtë dhe thjeshtë

2 Nëntor 2021, 11:06

PERIME ME SHIJE NË FURRË

Përbërësit:

2 kunguj

1 patëllxhan

2 speca

3 thelpinj hudhër

40 gr bukë e thërrmuar

Gjethe borziloku

Vaj ulliri

Domate qershi

Djathë mocarela

Djathe kaçkavall

Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Lajmë perimet me sodë dhe i thajmë. Presim kungujt për së gjati dhe më pas në katërsh, të njëjtën gjë bëjmë dhe me patëllxhanin dhe me specat.

Në një tas vendosim bukën e thërrmuar, kripën, borzilokun dhe hudhrën e grirë në rende. I përziejmë mirë që përbërësit të unifikohen së bashku.

Në një tavë vendosim të gjitha perimet dhe i trazojmë me bukën e thërrmuar me erëza. Shtojmë sipër vaj ulliri dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 200 gradë për 45 minuta.

Domatetet e vogla i presim përgjysmë dhe i grijmë në rende duke i shtuar pak kripë dhe piper. Në 10-15 minutëshin e fundit nxjerrim tavën nga furra dhe vendosim një shtresë me djathë mocarela, salcën e domates dhe djathë parmixhano të grirë. E rivendosim në furrë dhe e lemë për 10-15 minuta.

GJEVREKË

Përbërësit:

1 gotë qumësht ose kos

½ lugë maja

Pak sheqer

Pak kripë

Miell

2 vezë

100 gr susam

Përgatitja:

Trazojmë majanë me pak qumësht ose ujë të vakët, pak miell, pak sheqer dhe e lemë të vijë.

Në masën e qumështit ose kosit hedhim kripë, majanë e ardhur dhe aq miell sa të zihet një brumë i butë. Brumi ngjeshet mirë pastaj mbulohet që të vijë për 1 orë.

Brumin e ardhur e ndajmë në toptha. I shpojmë topthat në mes dhe i hapim duke rritur rrethin me duar. Rrahim vezët dhe lyejmë mirë gjevrekët, më pas i spërkasim nga të gjitha anët me fara susami. I vendosim në një tavë të lyer me yndyrë dhe i vendosim të piqen në furrë në temperaturën 200 gradë derisa të marrin ngjyrë.