Gërdeci/ SPAK kërkesë Gjykatës së Lartë: Rihapni gjyqin për Fatmir Mediun, nuk ka më imunitet!

6 Maj 2021, 16:18 | Përditesimi i fundit: 2021-05-06 16:19:20

Kur kanë kaluar 13 vite nga një prej tragjedive më të mëdha të ndodhura në Shqipëri, ajo e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë, një lajm shumë i rëndësishëm vjen për të gjithë ata që kanë kërkuar drejtësi.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar sot se i ka kërkuar Gjykatës së Lartë rihapjen e çështjes kundër ish-ministrit të Mbrojtjes në atë periudhë Fatmir Mediut.

Sipas SPAK, pas depozitimit të kërkesës së familjes Durdaj, të cilët humbën djalin 7-vjeçar, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore që të rihapet procesi gjyqësor nga Gjykata e Lartë për Mediun. 

Teksa i bën një radhitje të fakteve kryesore të ngjarjes SPAK evidenton faktin se në vitin 2009 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdojë për shkak se me rizgjedhjen në Kuvend kishte imunitet parlamentar.

Por kërkesa e SPAK argumentohet në faktin se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2017 imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim vetëm për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfardo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Kujtojmë që Mediu në vitin 2009 u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe dosja në ngarkim të tij, shkoi për shqyrtim gjyqësor në Gjykatën e Lartë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, sipas Kodit Penal Ushtarak.