Gjoks pule me perime/ Ëmbëlsirë pa pjekje me mollë nga zonja Albana

5 Maj 2022, 11:57 | Përditesimi i fundit: 2022-05-05 11:58:15

ËMBËLSIRË PA PJEKJE ME MOLLË

Përbërësit:

2 mollë

5 lgj sheqer

50 gr arra

250 gr biskota

Për kremin:

500 ml qumësht

3 lgj sheqer

2 lgj niseshte

Përgatitja:

Mollët e grira, arrat e thërrmuara dhe sheqerin i kalojmë në një tigan derisa të përthithen të gjitha lëngjet. Më pas shtojmë biskotat e thërrmuara, e punojmë mirë brumin dhe realizojmë toptha të cilat i vendosim në një tavë.

Përgatisim kremin duke vendosur në një tenxhere qumështin, niseshten dhe sheqerin. E trazojmë mirë derisa niseshteja të tretet, e vendosim në zjarr mesatar dhe e lemë derisa kremi të lidhet. Kremin e nxehtë e hedhim në tavë mbi topthat duke i mbuluar mirë dhe e lemë të ftohet. Në momentin e servirjes mund t’a spërkasim sipas dëshirës ëmbëlsirën me copëza çokollate ose pluhur kokosi.

GJOKS PULE ME PERIME

Përbërësit:

300 gr mish pule

3 karrota

2 kokrra qepë

5 patate

1 lgj salcë domate

1 lgj mustardë

1 gj gjalpë

1 koncentrat pule

1 lgj rigon

½ tufë majdanoz

kripë, piper

miell për lyerjen e pulës

Përgatitja:

Fillimisht kalojmë gjokset e pulës në miell dhe i kaurdisim në një tigan me pak vaj ulliri. Pasi mishi ka ndryshuar ngjyrë e largojmë nga tigani dhe në po atë yndyrë kaurdisim qepën e grirë imët për 5 minuta. Shtojmë më pas patatet dhe karrotat dhe vazhdojmë kaurdisjen për disa minuta. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper, shtojmë buljonin (e përgatitur me një koncentrat) dhe pjesët e pulës. Salcën e domates e përziejmë me një lugë mustardë dhe e vendosim mbi racionet e pulës. E spërkasim me rigon, vendosim kapakun dhe e lemë të gatuahet në temperaturë të ulët.