TIRANË- Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelitë ish-deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu dhe 9 protestuesit e 'Astirit', duke caktuar masën e sigurinë 'detyrim paraqitje'. Gjyqtari Kreshnik Omari nuk pranoi kërkesën e dy prokurorëve, Robert Kote dhe Denisa Hasko për të lënë në burg Balliun dhe 9 protestuesit e tjerë, të cilët të dielën e 13 tetorit, kanë bllokuar rrugën në të dyja drejtimet e rrugës si dhe nuk i janë bindur thirrjeve të Policisë në protestën e banorëve të 'Astirit'.
Në përfundim të seancës, ish-deputeti Flamur Noka, e cilësoi si hakmarrje e kryeministrit Edi Rama për Klevis Ballius, sipas së cilit ka zbuluar aferën korruptive të projektit të Unazës së Re, teksa tha se kauza e banorëve është e drejtë dhe se PD-ja do të vijojë që t'i mbështesë. Ndërkohë, në sfond dëgjoheshin edhe thirrjet të banorëve "o Klevis o hero, gjithë Astiri ty të do", të cilën ndodheshin në ambientet e jashtme të gjykatës në mbështetje të të arrestuarve.
Balliu është një nga deputetët që ka qenë i pranishëm në të gjithë protestat e banorëve të Astirit që kanë zgjatur prej një viti dhe kjo ka qenë hera e dytë që arrestohet për të njëjtat akuza.
"Saga e persekutimit nga ana e qeverisë vazhdon. Fakti që sot jemi të gjithë para gjykatës në pritje të së drejtës së këtyre banorëve tregojnë se hakmarrja e kësaj qeverie dhe Edi Ramës ndaj Klevis Balliut dhe banorëve të “Unazës së Re”, që i hoqën nga duart një megaaferë korruptive, ku sot ai shpresonte të kishte në llogari bankare në Amerikë, miliona euro, të përfituara nga kjo, vazhdon. Me sa duket nuk ka të ndalur kjo hakmarrje. Banorët e Unazës së Re dhe deputeti Balliu përndiqen nga ana tjetër nuk ka asnjë para drejtësisë nga ata që organizuan këtë megavjedhje dhe këtë megaskandal. Sado të përpiqet Edi Rama së bashku me bandën e tij të nënshtrojë banorët e “Unazës së Re” do ta ketë të pamundur. Ata sot kanë kauzën më të drejtë që mund të ketë qytetari në demokraci. Kauza e tyre është e shenjtë dhe qëndresa e tyre ka bërë që sot në sytë e shqiptarëve të jenë heronj të shtëpive të tyre. Protesta e tyre do të vazhdojë sepse është një protestë e ligjshme. Ata kanë njoftuar çdo ditë pranë policisë, dhe fakti që ata janë përpjekur t’i akuzojnë për bllokim rrugësh, është përgjegjësi e policisë, sepse policia duhej të kishte marrë masa, dhe nuk ka marrë", tha Noka.