Greqia zgjeron territorin e varrezës së ushtarëve në Manastirin e Këlcyrës, ceremonia larg syrit të mediave, i pranishëm edhe Konsulli grek në Gjirokastër

29 Tetor 2021, 11:39 | Përditesimi i fundit: 2021-10-29 18:38:01

Vazhdon rituali i rivarrosjes së eshtrave në varrezat e ushtarëve grekë në Manastirin e Grykës së Këlcyrës. Kanë qenë eshtrat e 37 ushtarëve grekë të rënë në luftën Italo-Greke në periudhën 1940-1941 të cilët janë rivarrosur në këtë varrezë, ku prehen eshtrat e mbi 700 ushtarëve helenë. Ceremonia është mbajtur larg syrit të medias dhe pa praninë e autoriteteve shqiptare.

Të pranishëm kanë qenë përfaqësuesit më të lartë të klerit ortodoks të Mitropolisë së Gjirokastrës. Ka rënë në sy edhe pjesëmarrja e konsullit grek të Gjirokastrës, Dimitris Saharidis, sekretarja e çështjeve politike në Ambasadën greke në Tiranë, Valis Pendervanis, Prefekti i Maqedonisë Perëndimore Jorgos Kasapidis, admirali Dhimitrios Milas që është nga komiteti i ekspertëve shqiptaro- grek për zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë, si dhe oficerë të ushtrisë greke.