Grupi i PD bllokon shpërndarjen e ushqimeve për iftar në Vaqarr, hetohet për plagosje Florenc Hoxha!

22 Prill 2021, 16:21

Grupet e strukturuara, të cilat PD pretendon se i ka ngritur për mbrojtjen e votës më 25 prill, vijojnë të krijojnë tensione, dhe pas Elbasanit (ku u vra Pjerin Xhuvani) rasti më i fundit në Vaqarr ku kanë bllokuar shpërndarjen e ushqimeve për iftar. Florenc Hoxha ish kreu i policisë bashkiake në kohën kur kryetari i PD Lulzim Basha ka qenë kryetar Bashkie, po hetohet në gjendje të lirë lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmë në Vaqarr ku së bashku me simpatizantë të PD kanë ndaluar shpërndarjen e iftarit te besimtarët myslimanë që agjërojnë, me pretendimin se këto ushqime po jepeshin në këmbim të votës.

Sipas policisë Hoxha është vënë nën hetim për plagosje të lehtë me dashje. Ka qenë Bledar Goga specialist në zyrën e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në Vaqarr ai që ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi disa mbështetës të PD i kishin bllokuar rrugën në lagjen Ibra, fshati Vaqarr, duke e kërcënuar të zbriste nga makina, me pretendimin se në makinë kishte produkte ushqimore që do të shpërndaheshin në këmbim të votës. Por sipas Gogës ushqimet ishin përgatitur për t'ua shpërndare për iftar besimtarëve në kuadër të muajit të Ramazanit në bashkëpunim me fondacionin Firdeus.

Ndërsa sot Belind Këlliçi paditi në Spak administratorin e Vaqarrit pasi premton legalizime e ushqime në këmbim të votave. Report Tv ka zbardhur kallëzimin e Bledar Gogës siguruar nga gazetari Sokol Dema. Goga dëshmon se Florenc Hoxha e ka goditur me grushta dhe e ka kërcënuar në makinën e tij, pasi e kanë ndaluar duke shpërndarë ushqime për iftar te besimtarët myslimanë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 proceduan penalisht shtetasin F. H., 46 vjeç, përfaqësues i një subjekti politik, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, sepse ditën e djeshme, shtetasi B. G. ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi disa persona i kishin bllokuar rrugën në lagjen Ibra, fshati Vaqarr, duke e kërcënuar të zbriste nga makina, me pretendimin se në këtë mjet kishte produkte ushqimore që përdoreshin në këmbim të votës. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se ushqimet ishin përgatitur për t'ua shpërndare për iftar, besimtarëve mysliman që agjërojnë”, thotë policia.  

Këtë rast e ka denoncuar edhe administratori i Vaqarrit, Gentian Myrta me anë të një postimi në rrjete sociale ku u shpreh i habitur nga kjo sjellje e tyre duke iu mohuar besimtarëve ushqimin në këtë muaj të shenjtë. Sipas administratorit 100 banorë të lagjes Ibra, do merrnin ushqime nga shoqata Firdeus e Elvis Naçit.