Si u falsifikuan dokumentet zyrtare dhe implikimi i politikës në minimin e procesit gjyqësor
Nga sot, e premte (7 shkurt 2025) ora 22:00, në ekranin e Report Tv vjen çdo javë një emision i ri, fokusuar te historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Emisioni me emërtimin “HiStory”, përbëhet nga dokumentarë të ndryshëm, të cilët do të transmetohen sipas një ideje krejt të re.
Të ndarë në disa pjesë, dokumentarët do të shoqërohen, pas transmetimit të çdo pjese, edhe me një bisedë në studio, mes prezantuesit Denis Minga dhe autorit të tyre, gazetarit Ferdinand Dervishi.
Sot në episodin e parë të ‘History’ trajtohet shpërthimi i 15 marsit të 2008 në Gërdec që mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm dhe la pa shkatërrime me pasojën enjë bombe atomike. Historia e një afere kriminale që kishte qëllim fitimin e miliona dollarëve dhe një proces gjyqësor që u minuar nga politika.
Shoqërimi i dokumentarëve me biseda të shkurtra në studio, është vendosur të bëhet me qëllim që teleshikuesit ti përcillet informacioni më i plotë dhe më i qartë. Po kështu, është vendosur që, gjatë bisedës, autori të shtojë informacione për tematikën, të cilat nuk janë përfshirë në një dokumentar.
Gërdeci, llogaritë milionëshe të një krimi të paralajmëruar. Si u falsifikuan dokumentet zyrtare dhe implikimi i politikës në minimin e procesit gjyqësor
Ferdinand Dervishi
Katastrofa e Gërdecit, e 15 marsit 2008, humbja e 26 jetëve njerëzore dhe përgjakja e qindra banorëve të tjerë, edhe pas gati 20 vitesh të shkuara, vijon ta mundojë shoqërinë shqiptare.
Shumëkush është i bindur se fajtorët ose nuk u ndëshkuan fare, ose u dënuan minimalisht nga sistemi i kontrolluar drejtësisë.
Aktualisht në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këmbënguljen e familjarëve të viktimave, është në proces gjykimi, i akuzuar për shpërdorim detyre, ish-ministri i Mbrojtjes i kohës - Fatmir Mediu.
Si të kishte aftësinë e një njeriu të padukshëm, ai kishte arritur ti shpëtonte dhënies llogari për përgjegjësitë e tij për katastrofën e Gerdecit, për shkak të imunitetit që gëzonte si deputet.
Por megjithë këtë zhvillim, megjithë gati dy dekada të shkuara nga ngjarja, shoqëria shqiptare vijon të mbetet e pandriçuar për pjesën se çfarë konkretisht ndodhi në Gërdec.
Ajo është e bombarduar me shkrime e kronika televizive, që flasin më tepër për implikimin eventual të djalit të Kryeministrit të kohës, Sali Berisha, dhe më pak për mënyrën si u ndërtua fabrika e vdekjes në Gërdec, apo për llogaritë e fitimit të ndërtuesve.
Është e bombarduar me lajme që trajtojnë pandehmat se si humbi jetën Kosta Trebicka - një biznesmen i përfshirë në një pjesë të kësaj historie, por nuk janë të ndriçuar sa i përket shkeljeve ligjore që sollën tragjedinë, të krahasuar vetëm me pasojat e një shpërthimi bërthamor.
Por le të provojmë të rindërtojmë edhe njëherë ngjarjet.
Së pari afera e Gërdecit nuk ishte një domosdoshmëri, apo emergjencë kombëtare, siç është tentuar dhe tentohet të sillet nga të akuzuarit për katastrofën dhe mbështetësit e tyre.
Fishekët e armëve të supit, të mitralozëve të rëndë apo kundërajrorëve, për demomtimin e të cilëve u krijua Gërdeci, nuk paraqisnin rrezikshmëri shpërthimi në tunelet e ushtrisë.
Rrezikshmëria ka lidhje me lëndët shpërthyese si baroti, apo edhe me predhat e formatit të madh, që përdoren nga topat apo avionët.
Në këtë periudhë, sa duket njerëzit që ideuan Gërdecin, janë joshur nga fakti i çmimit të lartë të skrapit të gëzhojave të tunxhit në tregun ndërkombëtar, i fiksuar në shifrën 4 mijë dollarë për 1 ton.








