Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ishte në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, pjesë e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), nga ku monitorohet në mënyrë të pandërprerë situata në të gjithë territorin e vendit dhe koordinohen strukturat për përballimin e emergjencave civile.
Përmes një video-mesazhi, ministri Nufi theksoi rëndësinë e koordinimit mes strukturave lokale dhe qendrore.
“Nga këtu monitorohet, kontrollohet dhe koordinohet i gjithë procesi i menaxhimit të situatës së zjarreve në territorin e Republikës së Shqipërisë, po jo vetëm situatës së zjarreve, por edhe ato të përmbytjeve apo gjithë fatkeqësive të tjera të natyrës që mund të ndodhin në territorin e Republikës. Për asnjë moment puna nuk pushon 24/7. Njerëzit janë të dedikuar që mund të monitorojnë të gjithë territorin e Republikës, qark për qark, bashki për bashki dhe të evidentojnë ku janë situatat më problematike nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me zjarrfikëset në territor dhe po ashtu me Forcat e Armatosura, me BMEC dhe me gjithë strukturat e tjera, Forcën Tokësore, Forcën Ajrore, ndërhyrjen nga ajri, bëhet e mundur përballimi i gjithë situatës së zjarreve në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

















