Humbi jetën gjatë lindjes në maternitet, familjarët e 30-vjeçares protestë para prokurorisë në Fier: Po neglizhon rastin, mjekët po tentojnë të fshehin provat

10 Maj 2021, 11:36 | Përditesimi i fundit: 2021-05-10 16:54:12

Leonard Lamaj, bashkëshorti i të ndjerës Elisabeta Lamaj, 30 vjeçares nga Ballshi, e cila ndërroi jetë me 10 prill pas anestezisë lokale gjatë lindjes, ka protestuar ditën e sotme para prokurorisë së Fierit.

Lamaj, i cili bëri kallëzim penal në polici për mjekët për mjekim të pakujdesshëm ndaj bashkëshortes së tij, thotë në një prononcim për mediat se prokuroria po neglizhon rastin dhe se mjekët po tentojnë që të fshijnë të gjitha provat. Sipas dëshmisë së mjekëve, shkak i humbjes së jetës së 31-vjeçares ka qenë infarkti akut i miokardit.

Bashkëshorti dhe familjarët e së ndjerës, kërkojnë zbardhjen e ekspertizës mjeko-ligjore, dhe shtojnë se ato do t’i shkojnë deri në fund deri sa të zbulohet fajtori, ku sipas tyre janë mjekët.

‘Të gjithë pjesët që ka shqyrtuar prokuroria, duke marrë nga materialet nga kamerat, nga mospyetja e një familjari tonë, të gjitha këto mua më çojnë në neglizhim. Mosdalja e ekspertizës mjeko-ligjore e cila ka afate ligjore deri në 2 javë sot ne kemi 4 javë e dy ditë gjë që do të thotë askush nuk na ka dhënë një përgjigje dhe as nuk duan të na japin një përgjigje. Ai mjek plehra me gjithë të shoqen kanë fshirë çdo gjë dhe mendojnë se do të mbetet në heshtje, por kjo gjë nuk do të mbetet në heshtje do të vazhdojmë deri në fund deri sa fajtori të dalë. Realisht aty ka shumë fajtorë, salla nuk ka qenë gati. Të më japin një shpjegim unë kërkoj një të drejtë. Prokuroria është ajo që nxjerr dhe i kërkoj të nxjerrë sa më shpejt ekspertizën mjeko-ligjore.’- tha bashkëshorti i saj.