I kërkuar për trafikim të 50 kg heroinë në Spanjë, kush është biznesmeni shqiptar me dy emra që u vu në pranga në Mal të Zi

15 Prill 2021, 14:25

Është arrestuar në Malin e Zi nga Interpol, biznesmeni shqiptar Anton Gjini, i cili njihet ndryshe me emrin Pashk Rrapi. Mediat malazeze shkruajnë se ai është arrestuar dy ditë më parë në kufirin e Malit të Zi, në pikën kufitare Bozaj.

Në momentin që atij i është kërkuar dokumenti i identifikimit nga autoritetet vendase për t’i bërë kontrollin, ka dhënë pasaportën me identitetin e tij të dytë, Pashkë Rrapi, dhe jo me identitetin e tij të vërtetë. Identifikimi i tij është bërë përmes shenjave të gishtave, ku e zbulua se ishte person në kërkim dhe i dënuar me tetë vite e nëntë muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike në Spanjë.

Bazuar në njohuritë operacionale, dhe më vonë në verifikimin dhe konfirmimin e identitetit, u përcaktua se ky person kërkohej nën një identitet tjetër nga Interpol Madrid, në mënyrë që të vuante një dënim me burg prej tetë vjet e nëntë muaj për krimin e trafikut të drogës.”- shprehet në një deklaratë policia e Malit të Zi.

Më herët, ka qenë Interpol Madrid, i cili ka ngritur alarmin e kuq për këtë shtetas. Ai pritet të ekstradohet në drejtim të Spanjës, për të vuajtur dënimin e dhënë nga shteti iberik. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.