I mori 8 mln lekë vajzës së pacientes me COVID, gjykata refuzon kërkesën për liri Tire Alldervishi

27 Janar 2021, 14:04

Gjykata e Apelit të Tiranës ka refuzuar kërkesën e sanitares Tire Alldervishi për lirimin nga burgu në seancën e zhvilluar ditën e sotme. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se ajo vijoi me pretendimet se është e infektuar me COVID dhe se nuk mund të prishë më asnjë punë nëse do të lirohej.

Sanitarja Tire Alldervishi u la në burg nga Gjykata e Tiranës për mashtrime me pasoja të rënda, një vendim që kjo e fundit e dërgoi në apel. Skandali i mashtrimit u denoncua fillimisht në emisionin investigativ "Stop" ku ka pasuar dhe me arrestimin e sanitares. Tire Alldervishi u hoq si infermie dhe i mori 8 mln lekë vajzës së pacientes me COVID e cila ishte shtruar në spitalin 'Shefqet Ndroqi'.

Ka qenë vajza e 55-vjeçares, e cila humbi betejën me COVID pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, e cila denoncoi rastin. Komunikimet nëpërmjet WhatsApp-it të vajzës dhe nënës së saj, faktuan se edhe shërbimi, edhe përkujdesja ndaj të ndjerës, nuk kanë qenë ato që pretendohen. E ndjera është ankuar se sanitarja që e kishte paguar nën dore i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale ajo detyrohej t’i kryente në krevat.

Vajza e pacientes me COVID që prej 28 ditësh ishte shtruar te ‘Shefet Ndroqi’ ka kallëzuar në polici se Tire Alldervishi i ka marrë çdo ditë rreth 5.000-6.000 lekë duke i "premtuar" se do të kujdesej për nënën e saj, por rezultoi se kundërta. Sipas burimeve të siguruara për Report Tv, Tire Alldervishaj, rezulton përsëritëse dhe kishte një rrjet bashkëpunëtorësh jashtë spitalit që shenjestronin familjarët e të sëmurëve. Dyshimet e hetuesve janë se sanitarja në të shumtën e rasteve gënjente të familjarët se do kujdesej për pacientët, por në realitet merrte vetëm paratë.