Interi bëhet i frikshëm, likuidon edhe Romën! Chelsea thotë 'mjaft', vjen fitorja e parë pas tetë ndeshjesh

6 Maj 2023, 22:33

Inter ka koleksionuar fitoren e katërt rradhazi dhe atë më të rëndësishme kundër Romës. Zikaltërit në transfertën e kryeqytetit, që vlente për luftën e një vendi në zonën Champions League, ia dolën me rezultatin e pastër 0-2.

Në pjesën e parë Dimarco zhbllokoi shifrat pas një asisti të Dumfries, ndërsa Roma pavarësisht tentativave e pati të vështirë të realizonte. Atë që se bëri skuadra e Mourinho-s e bënë zikaltërit me Lukaku-n, i cili përfitoi nga asisti i Lautaro-s, por më shumë nga gafa e Mancinit në mbrojtje. Me këtë fitore Inter rifutet fuqishëm në garë për vendin e dytë, pasi më herët Lazio u mposht nga Milani.