Zonat turistike të vendit kanë një vëmendje të shtuar, veçanërisht gjatë sezonit turistik edhe në drejtim të infrastrukturës elektro-energjetike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik me fokus të veçantë zonat bregdetare, të cilat gjatë këtyre muajve kanë një fluks të lartë vizitorësh.
Për të siguruar një furnizim sa më të mirë dhe cilësor me energji elektrike janë kryer në vijimësi investime në nënstacione dhe rrjetet e shpërndarjes. Nënstacioni elektrik i Palasës i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, përmes një investimi prej 120 milionë lekësh, i cili ka katërfishuar kapacitetin e tij, si dhe ka ulur në maksimum mundësitë për avari të ndryshme.