Italianët ‘marrin frymë’ sërish jashtë maskës anti-COVID, nga 28 qershori lehtësohen masat në ambientet e jashtme

22 Qershor 2021, 12:53

ITALI - Pas kaq shumë kohësh italianët do të mund të "marrin frymë" sërish jashtë maskës së tyre anti-COVID.

Me 28 qershor, qeveria italiane vendosi që të lehtësojë masat anti-COVID, duke hequr detyrimin e mbajtjes së maskën në ambientet e jashtme.

Lajmin e ka bërë me dije, ministri italian i  Shëndetësisë Roberto Speranza, duke specifikuar se ky përjashtim nga detyrimi do të bëhet në “zonat e bardha”, ku rreziku i COVID-19 dhe numri i rasteve të reja të infektimit është minimal.

Aktualisht e gjithë Italia, përveç se një rajoni të vogël në veriperëndim të vendit është shpallur “zonë e bardhë”.

Megjithëse masat anti-COVID janë lehtësuar, maska do të vazhdojë të jetë një detyrim për qytetarët në ambientet e brendshme ku grumbullohen njerëz dhe hapësirat e transportit publik.

Pavarësisht se në valën e parë dhe të dytë të pandemisë, Italia ishte një ndër vendet më të prekura sa i përket pandemisë, aktualisht ka arritur të ulë ndjeshëm numrin e infektimeve dhe viktimave nga COVID-19 si pasojë e një procesi të qëndrueshëm vaksinimi.