Italiani iku pa paguar dasmën, pronari i hotelit në Vlorë për Report Tv: Na u lut që të mos vazhdonin denoncimin në media se po e ndante dhe gruaja e katërt

5 Korrik 2021, 12:43 | Përditesimi i fundit: 2021-07-05 14:42:25

VLORË- Vasil Bedinaj, pronar i Hotel "Rexhina" në Vlorë ka zbuluar se nuk i ka shkuar deri në fund padisë për italianin që bëri dasmën në Shqipëri dhe nuk pagoi shpenzimet. Kjo sepse siç ai bëri me dije për Report Tv, italiani e ka kontaktuar  dhe i ka bërë një pagesë prej 1000 eurosh dhe me premtimin që do paguajë pjesën tjetër gjatë kësaj jave. Ai ka zbuluar se italiani i është lutur që të mos vijojë më me denoncimet në media, pasi po e ndante nga bashkëshortja që e ka shqiptare. Për Report Tv, Bedinaj tha se kishte dyshime që që në fillim që diçka nuk shkonte, por stafi zgjodhi që të përfundonte festa dhe më pas të sqarohej me italianin.

"Është një rast i izoluar, pas shumë vitesh eksperiencë, zotëria në fjalë është martuar me një shqiptare, ka bërë dasmë ka ndenjur një pjesë e të ftuarve për rreth 1 javë, janë plotësuar të gjitha kërkesat e tij, nuk kam pasur shumë informacion, por menaxherët i kanë bërë të gjitha.  Është një urdhër pagesë që ka bërë nga telefoni, jo cek fals, por urdhër pagesat i bëjnë çdo kush nga telefoni, por nuk dihet nëse ke lekë apo jo. E kemi kuptuar që në fillim që kishte diçka që nuk shkon, por ne nuk e shfaqëm, për të shmangur prishjen e eventit, e lamë deri sa të mbaronte eventi, ditën e fundit do flisnim me dhëndrin.  Ai ka garantuar që do bënte pagesën, por ishte e diel, dhe nuk konfirmohej dot pagesa. Fati i mirë, pasi bëmë publike mediat, ai më telefonoi lut që të ndalnim këtë histori se po "më ndan dhe gruaja dhe kjo ishte gruaja e katërt". Italianëve të jugut i pëlqejnë këto aventura, i ofruam makina me qira, muzikë, akomodimi në hotel", tha ai.