Kodi Zgjedhor/ Venecia refuzon kërkesën e Metës për të dhënë opinion me procedurë urgjente

27 Tetor 2020, 23:00

Komisioni i Venecias i ka kthyer përgjigje presidentit Ilir Meta, pas kërkesës së këtij të fundit për t'u të dhënë një opinion për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Përmes një letre drejtuar presidencës, Komisioni i Venecias ka refuzuar kërkesën e tij për ta trajtuar çështjen me procedurë urgjente. 

"I nderuar Z. President, Në përgjigje të letrës tuaj të datës 21 tetor 2020 me të cilën ju kërkoni një mendim urgjent “për procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë ”Kam nderin t’ju informoj se Byroja e Komisionit ka vendosur, e ndikuar nga koha e shkurtër e mbetur para seancës së ardhshme plenare dhe të kompleksitetit të çështjes, për të mos autorizuar procedurën urgjente", thotë Venecia.

Opinioni për ndryshimet në Kod Zgjedhor, siç shkruhet në letrën e Komisionit, do të përgatitet me procedurë te zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor.

Prandaj, opinioni do të përgatitet në procedurën e zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor. Sipas praktikës sonë, ky opinion në parim do të hartohet së bashku me ODIHR. Shfrytëzoj këtë rast për t’ju falënderuar edhe një herë për besimin tuaj në Komisionin e Venecias", thuhet në letër.

Presidenti i ka paraqitur 8 pyetje Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Një ditë pasi parashtroi pyetjet, ai i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare për të marrë parasysh opinionin e tyre përpara se të votohen për ndryshimet zgjedhore. Por nga ana tjetër kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca duken të palëkundur në qëndrimin e tyre teksa kanë theksuar se ndryshimet në Kod do të votohen sa më shpejt në Kuvend, por ndërkaq kanë shtuar se mirëpresin opinionin e Venecias.