TIRANË- Teksa Komisioni i Ligjeve nisi diskutimin për dekretin e Metës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Presidenti iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare për të marrë parasysh fillimisht opinionin e Komisionit të Venecias. Por kjo kërkesë e Ilir Metës nuk u mor në konsideratë nga Komisioni i Ligjeve i cili  me  15 vota kundër dhe 2 pro rrëzoi dekretin e Presidentit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

"Argumentet e Ilir Metës nuk kanë bazë kushtetuese", tha Shameti.

Të vetmit që kërkuan të pritej për opinionin e Komisionit të Venecias ishin dy deputetë të opozitës në Kuvend, Korab Lita dhe Adriatik Alimadhi.

Një kërkesë e ripërsëritur për kuvendin erdhi dhe nga Komisioneri për Zgjerim i BE Oliver Varhelyi. “I kënaqur që Rama pret opinionin e Venecias për ndryshimet kushtetuese. Do ishte e matur të pritej opinioni para se të rivotohej në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”.

Por kryeministri Rama duket i palëkundur në vendimin për të miratuar Kodin Zgjedhor pa asnjë ndryshim. Këtë e vërtetoi kur tha se nuk ka kohë për të humbur me asnjë aventurë të Ilir Metës.

"Unë e kam sqaruar dhe komisionerin, që parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë dhe nuk ka asnjë mundësi që të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Meta që nuk do të përmirësojë Kodin por të sabotojë këtë proces. komisioni i Venecias është i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vet, ai do të diskutohet dhe do të mbetet për të adresuar çdo lloj çështje që të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur, se strukturat e reja kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë ligjin zgjedhor dhe kjo kërkon kohën e vet. Madje është marrë një angazhim për identifikimin biometrik, koha është e pamundur. Meta lider absolut i një opozite të copëtuar dhe lider i  një partie të degraduar", tha Rama.

Për Partinë Demokratike këmbëngulja për ta miratuar Kodin zgjedhor nxjerr zbuluar kryeministrin.

 “Këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimin e apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që, për hallin e pushtetit të tij, është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë”, tha Bardhi.

Pasi iu rrëzua dekreti, Presidenti Ilir Meta reagoi duke postuar qëndrimet e ndërkombëtarëve për të marrë në konsideratë opinionin e Komisionit të Venecias. Ndër të tjera, presidenti i siguron se koha e injorimit do përfundojë në 25 prill.