Komisioni për 25 prillin, Gogu-Alibeajt: Mblidhni veten dhe filloni drejtoni! Sot të zgjidhet Sekretari dhe të miratojmë rregulloren e brendshme

27 Tetor 2021, 11:57

Me akuza, por të artikuluara me tone të qeta, ka nisur Komisioni Hetimor për zgjedhjet e25 prillit ditën e sotme, ku nënkryetari Toni Gogu iu drejtua kryetarit Enkelejd Alibeaj duke i kërkuar të 'mbledhë veten' dhe të drejtojë Komisionin. Ai ka kërkuar që rendi i ditës të hidhet në votim dhe pjesë e të jenë edhe zgjedhja e Sekretarit të Komisionit dhe miratimi i rregullores së brendshme.

"Mblidhni veten, vini rregull në këtë komision pasi nuk na ndaloni të përcaktojmë rregulloren e brendshme të këtij komisioni, Ky komision ka nevojë të miratojë rregullat e nevojshme për funksionimin e tij. E keni futur në udhëkryq veprimtarinë e këtij komisioni. Mblidhni veten dhe filloni të drejtoni. Nëse duam që hetimi për 25 prillin të bëhet realitet dhe jo show politik, nevojitet drejtim. Synimi juaj i vetëm duhet të jetë shterimi i rendit të ditësh dhe mbarëvajtja e mbledhjes, vetëm kështu do të largoni çdo njëanshmëri. Objektivi i këtij komisioni është hetimi dhe jo debati me ne. Hetimi që kërkohet nga ne është tërësi veprimesh pa marër të pandehur dh epa marrë të pandehur, vetëm duke hetuar mbështetur mbi prova do mund të verifikojmë veprimet tuaja. Nuk duhet të hyjmë në kompetencat e organeve të tjera. Duhet  t'i japim drejtim situatës ku ndodhemi duke respektuar njëri-tjetrin, por mbi të gjitha ligjin. Hidhni në votim rendin e ditës, aty të jetë zgjedhja e sekretarit dhe të hartojmë e miratojmë rregulloren e brendshme të komisionit", tha ai.