Komiteti Teknik nuk ndryshon masat! Ora policore në 20:00, mësim online për gjimnaze në 10 bashki!

25 Shkurt 2021, 14:50 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 14:53:34

TIRANË- Masat e dy javëve më parë kanë dhënë efekte, sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi nuk ka pasur një përkeqësim të situatës me COVID në vendin tonë! Për pasojë, ekspertët kanë marrë vendimin që këto masat që vijojnë të qëndrojnë në fuqi, pa një afat të caktuar.

Që do të thotë, që ora policore do të nisë në 20:00. Në këtë orar do të mbyllen edhe baret dhe restorantet të konsideruara si vatra kryesore të përhapjes së COVID, mësimi do të vijojë online në 10 bashki të konsideruara me rrezik të lartë, si edhe nuk do të ketë fluturime nga/në Britaninë e Madhe, ku dhe është shfaqur varianti i ri i koronavirusit. Ndalur këtu, zv.ministrja e Shëndetësisë, njëkohësish edhe kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, tha se nuk është marrë ende një përgjigje nga laboratori i Londrës, për mostrat e dërguara nga Shqipëria nëse kanë mbërritur në Shqipëria variantet e reja të këtij virusi.

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha se në ndryshim nga muajt e parë të pandemisë, ka një rritje të moshave të reja të të prekurve, më konkretisht 75% e rasteve të reja në muajin shkurt janë të moshave 15-54 vjeç. Nga ana tjetër, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se ka pasur një rritje të të shtruarve në spitale, por hapja e spitaleve rajonale, ka ndikuar që të mos ketë kaos dhe që fluksi të jetë i përballueshëm.

Duke u ndalur te mënyra se si do të procedohet me të infektuarit me COVID në zgjedhjet e 25 prillit, Rakacolli tha po diskutohet, por nuk ka ende një vendim. Në 24 orët e fundit ka vijuar të shënohet një numër shumë i lartë i të vdekurve nga COVID në vendin tonë. 1021 persona kanë rezultuar të infektuar dhe 19 pacientë kanë humbur jetën.