TIRANË - Shumë shpejt, më 25 nëntor, kryeministri Edi Rama tha se do t'i prezantojë publikut shqiptar platformën ligjore që do të luftojë krimin dhe atë që kreu i qeverisë e quan "KÇK" (Kap çfarë të kapësh), referuar prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar. Shqiptarja.com mëson ekskluzivisht se qeveria është duke u konsultuar me një grup ekspertësh nga Izraeli për të marrë përvojën e tyre në atë që Rama tha se do të jetë një "luftë që nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri". Se cila do të jetë përmbajtja e këtij draft-ligji kundër krimit të organizuar dhe gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, pritet të mësohet më tej nga kryeministri, por gjatë fjalës sot në Kuvend ai dha disa detaje kur tha se ndër të tjera do të jetë goditje frontale ndaj pasurisë së tyre që kanë vënë në mënyrë të paligjshme.
"Ata që kanë marrë dënime për krim të organizuar, apo për krime të rënda të lidhura me veprimtari kriminale më shumë sesa një vrasje; ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve dhe atyre gjykatësve, që e kthyen drejtësinë në një pazar ku kriminelët ishin të parët që jepnin ofertën dhe zakonisht kanë pasur ofertën më të mirë; ata që janë të hetuar për krim të organizuar jashtë vendit duhet të kthehen një orë e më parë në shënjestrën tonë. Nuk mundet më që ata, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, KÇK-ja t’i gëzojnë pasuritë e tyre. E pikërisht ofensiva ndaj pasurive të tyre do të jetë thelbi i një procesi pa kthim, që do të duhet dhe do të nisë një orë më parë. Duke tundur themelet e çdo pasurie të krimit dhe po ashtu, duke tundur themelet nën këmbët e kujtdo që brenda Sistemit të Drejtësisë, prokuror apo gjykatës është bashkuar me krimin", tha Rama.
Një grup oficerësh do të trajnohen për t'u bërë pjesë e kësaj strukture të veçantë. Shqiptarja.com mëson se ata do të jenë të fshehtë, pra nuk do të dihet identiteti i tyre, siç në fakt është edhe reparti "RENEA" që njihet ndryshe si elita e Policisë së Shtetit. Modeli ku do të bazohet kjo strukturë është ajo që njohet si "Fauda" e forcave komando izraelite. I krijuar nga ish pjesëtarë të shërbimeve sekrete dhe ushtarakë, ky grup është i specializuar në Izrael në kapjen apo eliminimin e elementëve të rrezikshëm terroristë në Izrael dhe Palestinë. Kjo njësi speciale është kthyer edhe në subjekt të një prej serialeve më të suksesshëm në Netflix ku tregon fabulën reale të kësaj force elitë, që ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga sulme terroriste, duke eliminuar kokat apo elementët që priteshin t'i ekzekutonin ato.
Por konsulenca izraelite nuk do të jetë vetëm në vënien e shtyllave të kritereve për këtë strukturë, por mësohet se do të marrë pjesë edhe në përzgjedhjen e elementëve më të mirë policorë dhe ish-ushtarakë. Ashtu si Fauda izraelite, edhe struktura e posaçme kundër krimit të organizuar në Shqipëri, që ende nuk dihet nëse do të pagëzohet me emrin "Fauda", do të ketë të infiltruar edhe në botën e krimit, por edhe në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve për të marrë kështu informacione se ku veprojnë bandat dhe ku i investojnë ata pasuritë, ashtu siç komandot izraelite infiltroheshin në radhët e palestinezëve. Në Shqipëri pritet të ngrihen edhe Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme Anti-Korrupsioin që do hetojnë krimin dhe zyrtarët e korruptuar. Por struktura që do të luftojë drejtpërdrejt ë që deri më tani Rama e ka quajtur "KÇK", do të jetë në një farë mënyre, policia e prokurorëve dhe gjykatëseve specialë që do të luftojnë të konsideruarit "peshqit e mëdhenj" të drejtësisë dhe kriminelët të kthyer në të "fortët" e paprekshëm të mbrojtur nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, në muajin shtator paralajmëroi një njësi speciale kundër 'të Fortëve' e cila ka nisur stërvitjet dhe është gati për të dalë në terren në aksion.
"Do të merren masa që të dy krahët e Policisë së Shtetit, si ai territorial ashtu si edhe ai lëndor të jenë po aq të fuqishëm, në mënyrë që, me një Polici të re të reformuar, të modernizuar, të motivuar të mund të mbështesim objektivin numër një që ka Shqipëria dhe shqiptarët që është zbatimi i Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi nuk mund të ketë sukses pa pasur një Polici, e cila e zbaton atë. Ju jeni krahu që do të mundësoni zbatimin në praktikë të gjitha vendimeve që Drejtësia e re do të marrë në të ardhmen e afërt" është shprehur më herët Lleshaj.
Kjo platformë do të sillet në Kuvend, dhe aty do të ndahet përmes votës - u shpreh kryeministri Rama - se kush është vërtetë pro kësaj beteje që do të nxjerrë "në pah të gjithë përmasën e llumit që është kthyer në një shtupë që e pengon sot, më shumë se asnjëherë tjetër, rrjedhjen e lirë të ujërave drejt konsolidimit të sistemit të drejtësisë".
"Kam qenë këtu, në këtë foltore, kur kam folur për rastin skandaloz të Durrësit dhe kur jam zotuar se do t’i sjell Kuvendit, shumë shpejt, një platformë ligjore për t’u miratuar e për t’u kthyer në platformë lufte ndaj krimit të organizuar dhe KÇK-së. Tanimë nuk është çështje muajsh, vetëm çështje e disa ditëve. Në 25 nëntor, unë do t’i prezantoj publikut shqiptar këtë platformë. Kjo platformë do të jetë sfida e vërtetë edhe e këtij Kuvendi, që do të ndajë edhe në këtë sallë, ata që janë gati për ta shpallur këtë luftë me ata që s’janë gati. Do të ndajë njëherë e mirë një histori të vjetër, ku është përzier rëndom i njomi me të thatin dhe ku krimi i organizuar është kthyer nga një problem i përbashkët, në një motiv lufte politike; nga një armik i përbashkët, në një aleat politik i atyre që e kanë përdorur vijimësisht produktin e krimit, për ta hedhur si mish të ngordhur në oborrin tonë. Kjo është koha kur përgjigja jonë duhet të jetë pa asnjë ekuivok dhe duhet të tundë themelet mbi të cilat, sot e gjithë ditën qëndron ngrehina e krimit të organizuar në Shqipëri. Ne jemi detyruar të ndjekim vijën e drejtë që kemi përcaktuar së bashku me aleatët tanë strategjikë dhe për sa kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian zyrtarisht, publikisht, kanë mbështetur çdo lëvizje që ne kemi bërë, kushdo që do të kuptojë, kupton që në këtë proces, ne as jemi vetëm dhe as marrim përsipër të vetëm të bëjmë reagimet tona. Reagimet tona janë të gjitha të koordinuara, pasi kemi dëgjuar dhe dëgjojmë me shumë vëmendje, ata me të cilët e kemi bërë Reformën në Drejtësi dhe me ata, të cilët do ta zbatojmë Reformën në Drejtësi. Kjo është dhe arsyeja se edhe për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së, ne jemi në një proces intensiv diskutimi dhe koordinimi me ta, pasi do të jetë një luftë që nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri dhe do të jetë një luftë ku kemi nevojë, pa diskutim, për mbështetjen e tyre. Jo thjeshtë mbështetje juridike, por mbështetje e gjithanshme", u shpreh kryeministri Edi Rama sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku u votua rezoluta përmes së cilës deputetët argumentojnë pse presidenti Ilir Meta gaboi me dekretin për Marsida Xhaferllarin si anëtare në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa merret angazhimi për të zgjidhur ngërçin në këtë institucion, duke rishikuar legjislacionin.