Kontrolle në banesën e 'Dajës', dëshmia e të penduarit që zbuloi si u thur plani i grabitjes në Rinas

27 Prill 2019, 16:57

Këtë të shtunë, policia ka kryer kontrolle në banesën që ka tek Shkëmbi i Kavajës "Daja", kosovari nga Peja i arrestuar një ditë më parë si pjesë e grupit të bashkëpunëtorëve për super-grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit më 9 prill. Ragip Haxhihajdini u arrestua nga Policia në zonën e plazhit në Durrës, pasi aty kishte një banesë të tijën tek "Shkëmbi i Kavajës". 50-vjeçari nga Peja u zbulua falë dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasit, të arrestuar për grabitjen, njëherësh kushëri i Klement Çalës, në kërkim si një nga organizatorët e vjedhjes së miliona eurove në pistën e avionëve në Rinas.

Ishte Alkond Bengasi që përmendi në dëshminë e tij se Admir Murataj, që mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes, takohej me një kosovar tullac nga Kosova.

Ai është përshkruar nga Bengasi si “Daja” nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.

Arrestimi i Ragip Haxhihajdinit e çoi në gjashtë numrin e personave të vënë para drejtësisë për grabitjen në aeroport, ndërsa Alkond Bengasi është i vetmi që është penduar dhe ka folur. Ai thotë se vetëm ka bërë modifikimin e furgonit me mbishkrimin "Hetimi Tatimor" me të cilën 5 grabitësit u futën në aeroport, por nuk kishte dijeni se ai do të përdorej për vjedhjen e parave të bankës teksa do transportoheshin për në Vjenë.

Ragip Haxhihajdini, i cili njihet edhe me mbiemrin Hajdini, ishte në kërkim edhe nga autoritet në Kosovë, pasi atje është akuzuar për vjedhjen e 25 kg ar në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Pejës 7 vjet më parë, dhe i dyshuar për grabitjen e një banke në Istog ku mbeti i vrarë edhe një efektiv i policisë.

Duke qenë se sipas së dëshmisë së Alkondit, kosovari rrinte shpesh nën shoqërinë e Klement Çalës dhe Admir Muratajt, hetuesit dyshojnë që Hajdini të ketë pasur rol organizatori në ktë grabitje. Plani dyshohet të jetë thurur në një restorant në zonën e Shkëmbit të Kavajës ku jetonte kosovari, por edhe në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku siç tregon Alkond Bengasi, ata takoheshin shpesh me njëri-tjetrin.

Edhe pse në arrati nga vitit 2013 kur ishin arratisur nga burgu grek i Trikallasë, Admir Murataj dhe Klement Çala lëviznin të lirë në Shqipëri, e madje në zonën e liqenit të Thatë në kryeqytet, kishin hapur edhe një restorant.

Sipas dëshmisë së Bengasit, gjashtë ditë para grabitjes së Rinasit është parë në zonën e Liqenit të Thatë, në shoqërinë e Muratajt, duke udhëtuar me një automjet Golf ngjyrë të bardhë me targa të Kosovës. Kjo dëshmon sipas hetuesve miqësinë e ngushtë që kishin Murataj dhe Hajdini, të cilët e thërrisnin njëri-tjetrin me nofkën “Daja”.

Për të përcaktuar qartë se cilët ishin 5 grabitësit që përshkruan pistën me furgonin "Hetimi Tatimor", autoritetet shpresojnë në gjurmët e gishtërinjve të gjetura në furgon, përmes të cilave do të zbulohet nëse "Daja" nga Kosova ka qenë vetëm pjesë e thurjes së planit, apo ka marrë pjesë drejtpërdrejt në grabitje.

Nga të arrestuarit në pistë dyshohen të kenë hyrë, Oltion Veseli dhe Elton Pikli, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë.

Në kërkim janë; Talo Çela, vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, një tjetër ish-efektive, Edlira.B, i kërkuari për grabitje të tjera, Aleks Pepa dhe dy të tjerë. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.