Krimi kanos drejtësinë, 25 gjyqtarë e prokurorë kërkuan të merren në mbrojtje nga policia gjatë vitit 2020

18 Maj 2021, 17:49

Njerëzit e krimit kanë kanosur dhe kërcënuar si kurrë më parë prokurorët dhe gjyqtarët, gjatë vitit 2020, për shkak të detyrës. 25 gjyqtarë dhe prokurorë kanë kërkuar të merren në mbrojtje nga policia gjatë vitit të kaluar, pasi janë ndier të kërcënuar me jetë, si dhe kanë shprehur pasiguri për familjen dhe pasurinë, për shkak të dosjeve. Gjatë vitit 2020, në komisionin për mbrojtjen e gjyqtarëve pranë KLGJ-së janë paraqitur tre kërkesa, një për zgjatje të afatit të mbrojtjes së veçantë dhe dy kërkesa për mbrojtje të veçantë. Komisioni ka pranuar një kërkesë për zgjatje të afatit të mbrojtjes si dhe ka refuzuar kërkesa e dy gjyqtarëve të tjerë.

Ndërkaq, në komisionin për mbrojtjen e prokurorëve pranë KLP-së, gjatë vitit 2020, 22 prokurorë kanë kërkuar mbrojtje të veçantë nga policia. Komisioni ka pranuar 21 kërkesa për marrjen në mbrojtje të 21 prokurorëve, duke konstatuar praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën dhe familjen e prokurorëve në fjalë. Në një rast, çështja është zgjidhur me mirëkuptim, pasi është vlerësuar se rrethanat dhe situata nuk ishte serioze. Të dhënat pasqyrohen në raportet vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.Në raporte konstatohet se më të kërcënuar janë prokurorët, për shkak të hetimeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Numri i madh i prokurorëve që kanë kërkuar mbrojtje nga shtetit, katër herë më i lartë se sa në vitin 2019,  ka alarmuar edhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili kërkon nga Kuvendi të marrë masa të zbutur këtë fenomen. Në total, gjatë viteve 2019-2010, sipas raporteve të KLGJ-KLP janë marrë në mbrojte nga policia 35 gjyqtarë dhe prokurorë për shkak të kërcënimeve dhe rrezikut për jetën, kryesisht nga segmentet e krimit.