Në historinë e pluralizmit, legjislatura e 9 e parlamentit shqiptar, e mbyllur në 7 korrik, do të ketë një vend të veçantë. Shumë mandate u lanë pa përfunduar, e për herë të parë, 68 deputetë nuk arritën ta çonin deri në fund 4-vjecarin në parlament, sipas një raporti të publikuar edhe nga vetë Kuvendi.
Nga 65 deputetë të PD, LSI dhe PDIU, vetëm Myslym Murrizi, Rudina Hajdari, Lefter Koka, Robert Bitri dhe Reme Lala e çuan deri në fund mandatin e tyre, ndërsa të tjerët e braktisën duke krijuar një vakum në jetën parlamentare. Por shumë shpejt u zëvendësuan. Njëri pas tjetrit, të gjendurit fare rastësisht në vendet e fundit të listave të Bashës, Kryemadhit e Idrizit u ulën në karriget e tyre në parlament.