Nëse kërkojmë figurën etalon të qëndrestarit kundër regjimeve totalitare, ai me siguri do të ishte Kudret Kokoshi, jo vetëm për qëndresën e tij vetjake, por edhe për frymëzimin dhe forcën që ju përcillte gjithë të burgosurve të tjerë përmes vargjeve të tij. Për Kudret Kokoshin, juristin e shkëlqyer vlonjat që kishte kaluar ferrin në kampet naziste në kufirin austro-hungarez e më pas pa vënë akoma këmbë në atdhe e kishin arrestuar edhe komunistët e vendit të tij, duke e dënuar me dy dekada burg, pra për këtë legjendë të qëndresës dhe vuajtjes, mund të flasin sot shumë të dënuar të regjimit, të cilët poezitë e tij heroike i recitonin në kor në të gjithë burgjet e Shqipërisë së komunizmit. Këtë histori epike, të këtij personazhi të rrallë, do ta sjellim si një ndërthurje dëshmishë, të lëna nga ai vetë në dorëshkrimet e tij, nga rrëfimet e kunatës së tij Sanie Kokoshi, nga kujtimet e një tjetër të burgosuri të regjimit Reshat Kripa, dhe nga një intervistë e fundit dhënë pak ditë para se të ndërronte jetë, në vitin 1991, poetit Visar Zhiti. Kjo është historia e një burri që nuk diti të dorëzohet kurrë, është historia e një patrioti të pashoq, që në atdheun e tij e mbytën në tortura, por që gjithësesi ai e deshi atë pa kushte, është historia e një intelektuali që e mundi dhimbjen dhe shkroi poezi frymëzuese edhe aty, ku shokët e tij vdisnin nji nga nji çdo ditë...
No videos found.