Kulluri në Report Tv: PD do të dalë më e dobët nga kjo maskardë elektorale! Gjana ende s'ka marrë përgjegjësi për vjedhjen e zgjedhjeve në 2017-n

11 Qershor 2021, 13:37 | Përditesimi i fundit: 2021-06-11 13:38:38

Anëtari i grupimit "Për PD-në", Edvin Kulluri shprehet i bindur se Partia Demokratike do të dalë më e dobët nga kjo garë e brendshme. Edhe pse tha që grupimi dhe kandidatja Harxhi do t'i shkojnë zgjedhjeve deri në fund, Kulluri akuzoi edhe kreun e komisionit të zgjedhjeve në PD se ende nuk ka marrë përgjegjësi për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2017.

"Vëzhguesit tanë janë të angazhuar për të parandaluar çdo parregullsi të procesit. Parimi i zgjedhjeve të lira që Basha bërtet çdo ditë, së pari duhet ta kishte zbatuar brenda partisë.  Partia do të dalë më e dobët nga një maskaradë elektorale por kjo nuk na pengon neve për tu thënë demokratëve që do vazhdojmë deri në fund. Tregojmë karakter dhe përgjegjësi duke i dalë përballë një njeriu që nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjet.  Z. Gjana ende nuk ka mbajtur përgjegjësi për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2017. Kam unë video që disa anëtarë kanë votuar të paktën 4 herë për z. Basha.  Në degën e Maliqit një herë për shembull ka shkuar kandidatja Harxhi dhe e ka gjetur derën mbyllur. Këto janë turpe që tregojnë se çfarë e pret PD-në me Lulzim Bashën në 4 vitet e ardhshme", tha Kulluri.