Trupa aktuale gjykuese e Gjykatës Kushtetuese është produkt i reformës në drejtësi, një nga investimet dhe angazhimet për më të mëdha dhe serioze të SHBA-BE në Shqipëri. Reforma në drejtësi, nga ana tjetër, është një nga proceset transformuese më të sulmuara dhe të luftuar nga opozita shqiptare për pesë vite me radhë, duke krijuar bashkë me një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh, edhe atë që konsiderohet si fronti kundër reformës. Fillimisht fronti kundër reformës është udhëhequr nga Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në koordinim me ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shoqatën e Gjyqtarëve, krerët e drejtësisë së vjetër që u rrëzuan nga Vetingu, segmente mediatike etj., si dhe me mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim në prapaskenë.
PD-ja dhe gjyqtarët u bashkuan duke kundërshtuar ligjin e Vetingut dhe ligjet e tjera bazë të reformës në Komisionin e Venecias, Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatën Kushtetuese. Pas dështimit të betejës ligjore për rrëzimin dhe deformimin e reformës në drejtësi, nisi një fushatë akuzash kundër procesit të Vetingut dhe organeve të reja të drejtësisë.
Pas vitit 2017 dhe në vijim, luftën kundër reformës në drejtësi po e udhëheq Ilir Meta, në koordinim me Sali Berishën. Ilir Meta e ka konsideruar reformën në drejtësi si një komplot ndërkombëtar, si konspiracion sorosian, si produkt i organizatave mafioze ndërkombëtare, si Ramaformë, puç shteti etj.













