Kushtetuesja i jep kohë për prova Presidencës, Aleanca për Teatrin: Fitore momentale

3 Qershor 2021, 16:15

Gjykata Kushtetuese shyqrtoi sot kërkesën e Presidentit Ilir Meta për Teatrin Kombëtar. Presidenti Meta kërkoi në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e  kalimit të pronësisë së Teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Meta e vendosi theksin te fakti që sipas tij fituesi është paracaktuar me ligji.

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Presidencës për thirrjen e dëshmitarëve ndërkohë që ka lënë afat që brenda datës 8 qershor të sillen edhe dokumente të tjera që janë kërkuar nga kërkuesit. Ndërkohë që është shtyrë vendimi në mënyrë që të shqyrtohen provat shtesë. Subjektet kanë të drejtë po në këtë datë për t'i marrë këto dokumente

Ndërkohë që është lënë afat deri më datë 10 për shpjegimet shtesë.  Subjektet e interesuara nëse duan të paraqiten me një ekspert në lidhje me këtë çështje.  Seanca e radhës është përcaktuar për më 15 qershor

Këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj, deklaroi më herët se se Këshilli i Ministrave nuk ka vënë në dispozicion dokumentet që janë kërkuar që prej korrikut të 2019-ës. Prej gati dy vitesh, sipas Dervishajt, institucionet nuk kanë dhënë provat që Meta ka kërkuar, ndërsa disa prova janë vënë në dispozicion në datën 2 qershor, në mëngjes. Për 24 orë, sipas Dervishajt nuk mund të analizohen.

"E kemi pritur prej dy vitesh këtë seancë. Nuk është marrë në shqyrtim kërkesa për prova shtesë. Kemi 2 vite që kërkojmë prova shtesë dhe ende nuk i kemi marrë. 24 orë nuk mjaftojnë për të shqyrtuar dokumentet, nuk shprehemi në këtë seancë. Vetëm dje Këshilli i Ministrave i ka vënë në dispozicion dokumentet. Ne duam që të njihemi me provat dhe të caktojmë një tjetër seancë", ka thënë Këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj.