Largimi i Bashës nga kryetar, kreu i zgjedhjeve në PD Gjana: S’është detyrim, zgjedhje individuale

17 Maj 2021, 18:33

Kryetari i Komisonit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike, Jemin Gjana në një prononcim për mediet tha se kreun e PD-së nuk e detyron asnjë statut brenda partisë që të japë dorëheqjen dhe se zgjedhja është individuale.

'Është debatuar në 2017 në Kuvendi kombëtar të PD nëse duhet të kishte një normë statutore që detyron dorëheqjen dhe nuk është miratuar. Në statut nuk ka detyrim dorëheqje, pjesët e tjera duhet janë individuale.'- tha Gjana.

Sa i përket dokumenteve që duhet të paraqesin kandidatët për kryetar, Gjana tha se 'besoj se ka një formular që është përdorur edhe për kandidatët për deputet'.

Ditën e sotme grupi 'Për PD-në' reagoi në lidhje me procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike duke thënë se komisioni zgjedhor u ngrit në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar me anëtarët e kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Sipas Grupit “Për PD” nuk do të ketë zgjedhje të lira për kryetar nëse Lulzim Basha nuk jep fillimisht dorëheqjen.