Lejuan kultivimin e 4000 rrënjë kanabis dhe dekonspironin operacionet, SPAK arreston 9 persona! Në detyrim paraqitje 4 efektivë, në kërkim nënkomisari i Pukës

21 Tetor 2021, 13:26 | Përditesimi i fundit: 2021-10-21 15:41:05

PUKË-Pas një hetimi 1 vjeçar SPAK ka goditur një grup kriminal në fushën e kultivimit të kanabisit në zonat malore të Pukës e Mirditës duke vënë në pranga 9 persona dhe 4 të tjerë në kërkim, mes tyre dhe nënkomisari i policisë së Pukës Kastriot Bicukaj, ndërsa 4 efektivë të tjerë në masën detyrim paraqitje. Trafikantët kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin për të siguruar shitjen e lëndëve narkotike, ndërsa kanë pasur edhe mbështetje e policisë për kryerjen pa problem të aktivitete të tyre kriminal. Policët dekonspironin operacionet ku informonin trafikantët për kontrollet që do ushtroheshin në zonë.

20 masa sigurie janë dhënë nga SPAK në lidhje me këtë operacion për goditjen e kultivimit të kanabis, ku 13 janë për "arrest me burg", mes tyre edhe nënkomisari i Pukës, Kastriot Bicukaj, 3 janë "arrest shtëpie" dhe 4 "detyrim paraqitje".